Nis ndërtimi i kolektorit verior për trajtimin e ujërave të zeza në Papaz të Ferizajt
Kanë nisur punimet për ndërtimin e kolektorit verior për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Papaz të Ferizajt. Për të parë nga afër këto punime, doli edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.
Aliu ka vlerësuar se Ferizaj ka përmbyllur kapitullin e investimeve kapitale të natyrës nëntokësore. Madje, shtoi se me ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza, zotim ky i dhënë nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë vizitës së tij në Ferizaj, përmbyllet edhe kapitulli i trajtimit të ujërave të zeza. “E para që dua të them është se Ferizaj ka përmbyllur dhe po përmbyll, përveç disa rasteve që janë tepër minore, investimet kapitale të natyrës nëntokësore, në mënyrë të veçantë të kanalizimeve dhe sigurisht se hap një kaptinë të re dhe këtu jemi në një projekt që hap këtë kaptinë, kaptinën e përmbylljes së trajtimit të ujërave të zeza”, ka thënë Aliu.
Ky projekt kap vlerën e 1 milionë e 300 mijë eurove dhe ka një gjatësi prej afërsisht 13 kilometra dhe përfshin një grup të madh fshatrash.
/Epoka e re/