Nis ndërtimi i projektit milionësh në Gjakovë
Komuna e Gjakovës ka bërë me dije se ka filluar së ndërtuari vazhdimi i rrugës “Bujar Roka” në një gjatësi prej 2 731 metrash dhe me një kosto financiare që tejkalon 3.5 milionë euro.
Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, ka thënë se ky projekt është një investim i jashtëzakonshëm. Në këtë kontekst, ai ka theksuar se “asnjëherë nuk ka pasur vëllim kaq të madh investimesh në Gjakovë”. Gjini ka thënë se këto investime janë duke u realizuar në këtë komunë falë mbështetjes së qeverisë Haradinaj.
Ndërsa ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka theksuar se përpos këtyre projekteve, do të ndërtohet edhe autostrada e Dukagjinit. Në anën tjetër, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thënë se ky projekt është një arterie e nevojshme e qytetit të Gjakovës.
Më tutje, Haradinaj ka kërkuar nga punëtorët dhe punëkryesit që mos të bëjnë kompromise në kualitetin e ndërtimit. Aksi rrugor “Bujar Roka” deri tek Ura e Tabakut do të jetë një projekt i cili përfshin shtigjet për ecje, çiklizëm, gjelbërim, rrugën për qarkullimin e automjeteve me dy rrethrrotullime dhe një urë që do të ndërtohet në kuadër të projektit.
/Epoka e re/