Nis peticioni për projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë
Disa organizata të shoqërisë civile kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion përmes së cilit do të kërkohet hartimi i një projektligji për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë.
Peticioni ka nisur të hënën, më 29 prill, në qendër të Prishtinës, ndërsa nënshkrimet përveç aty, do të mblidhen edhe në Pejë, Prizren dhe Gjakovë.
Në emër të organizatave, Bind Skeja, ka thënë se po kërkojnë një projektligj i cili do të përfshinte, ndër të tjera, shërbime klinike për parandalim të vetëvrasjes, integrim të parandalimit të vetëvrasjes në objektiva institucionale dhe mekanizma për ngritje të profesionalizmit të mediave gjatë raportimit të vetëvrasjes.
Gjithashtu, ai ka thënë se projektligji duhet të përfshijë shërbime dhe mbështetje sociale – jo klinike – për persona me mendime të vetëvrasjes, mekanizma për reduktimin e qasjes në mjete vet-lënduese, programe specifike për komunitete jo shumicë dhe mekanizma për mbledhjen e të dhënave të vetëvrasjes.
Skeja ka thënë se niveli institucional nuk ofron asnjë shërbim për parandalim të vetëvrasjes.
“E vetmja që ofrohet janë disa ditë të mbyllur në psikiatri për trajtim pa vullnet gjë që OKB e cilëson si shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.
Që nga viti 2019 funksionon “Linja e Jetës”, qendër telefonike vullnetare në Kosovë që ofron ndihmë për personat që kanë mendime për vetëvrasje, apo që vuajnë nga depresioni apo ankthi.
Të gjitha të dhënat e telefonuesve mbesin konfidenciale.
Inicimi i këtij peticioni vjen duke u bazuar në Ligjin për nisma legjislative, sipas së cilit përveç presidentit, deputetëve dhe qeverisë, edhe qytetarët me të drejtë vote kanë të drejtë për nismë legjislative.
Për të qenë i vlefshëm peticioni, ai duhet të nënshkruhet nga së paku 10 000 qytetarë.
“Jemi të bindur që me këtë peticion jemi duke filluar një proces të pakthyeshëm të shërimit të plagëve tona komunitare”, ka thënë Skeja. /REL