Nis procesi i identifikimit dhe verifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës
Komisioni qeveritar për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë do të fillojë trajtimin e aplikacioneve të para më 5 shkurt të këtij viti, ditë kur zyrtarisht fillon procesi i aplikimit.
Një gjë e tillë është bërë e ditur sot gjatë lansimit të fillimit të procesit për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, ku morën pjesë përfaqësues të lartë shtetërorë, ambasadorë të shteteve të huaja në Kosovë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, gjatë fjalës së tij tha se, qysh në ditët e para të fillimit të mandatit është impenjuar për ta shtyrë përpara këtë proces shumë të rëndësishëm i cili po kurorëzohet me fillimin e trajtimit shtetërore ndaj kësaj kategorie.
“Për të ardhur deri këtu, kemi ndërmarrë një sërë vendimesh e aktivitetesh, të cilat nuk janë ndërmarrë ndër vite. Me njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës dhe realizimit të së drejtës së pensionit personal, nuk mund të themi se kemi përfunduar misionin tonë, ne duhet të angazhohemi edhe më tej, që kësaj kategorie t’iu ofrohet sigurimi e shërbimi shëndetësor i mirëfilltë, t’iu ofrohet punësim e aftësim profesional, arsimim kualitativ dhe rehabilitim për të gjithë ata që kanë nevojë”, ka thënë ministri Reçica.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se institucionet e Kosovës kanë kryer një punë të mirë duke njohur të drejtat e viktimave të dhunë seksuale gjatë luftës.