Nis projekti ‘Kinder League’ në Prizren
Këtë fundjavë ka filluar projekti ‘Kinder League’ në Prizren, në organizim të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prizrenit, në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, në kuadër të programit “Grassroots”.
Ky projekt organizohet në këtë formë në disa qytete të Kosovës, si në Gjilan, në Mitrovicë e në Kaçanik, e ku janë të përfshirë fëmijët e moshës 9-vjeçare. Ata nëpërmjet kësaj lige kanë mundësi ta vënë në shprehje dhe ta zhvillojnë talentin e tyre.
Ky projekt nuk i jep rëndësi rezultateve të ndeshjeve, pra nuk ka renditje tabelare të ekipeve, pasi qëllimin e vetëm e ka që fëmijët të kënaqen duke luajtur futboll, të krijojnë miqësi, të socializohen mes veti. Po ashtu, qëllim i këtij projekti është gjithëpërfshirja, mësimi i bashkëpunimit gjatë lojës si dhe mësimi i rregullit të ‘Fair-Play’-it, ku lojtari më “fair-play” merr karton të gjelbër nga gjyqtari i ndeshjes si vlerësim për sjelljet e mira.
Të gjithë fëmijët pjesëmarrës të këtij projekti e kanë mundësinë të luajnë dhe ta shijojnë futbollin. Qëllimi i kësaj lige është që në fund të gjithë të ndihen fitues, pra nuk ka ekip kampion në fund të sezonit, por të gjithë do të shpërblehen me medalje dhe të gjithë në një formë apo tjetër do të jenë kampion.
Ky projekt po rezulton tejet i suksesshëm, pasi për dallim nga viti i kaluar kur në Prizren merrnin pjesë 9 ekipe, kësaj radhe ligës iu kanë bashkuar 20 ekipe, duke dëshmuar kësisoj masovizimin e futbollit, e që është edhe një prej qëllimeve të UEFA-s e FIFA-s.