Nis protesta e organizuar për të drejtat e punëtorëve
Ka filluar protesta e paralajmëruar nga BSPK me rastin e Ditës së Punëtorëve, 1 Majit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Protesta ka filluar nga ora 11:00 me kërkesat për Marrëveshjen Kolektive, për rritje të pagës minimale, për skema pensionale si dhe për sigurime shëndetësore.
Ndryshe, punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë janë më të rrezikuarit. Gjatë vitit të kaluar 22 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërkohë që lëndime të rënda kanë pësuar 104 persona. Kjo dukuri është në rritje edhe në vitin 2019.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavaruara, Avni Ajdini, në këtë protestë të organizuar për ditën e punëtorëve, ka deklaruar se ata kanë shumë kërkesa. “Duke filluar nga nënshkrimi i marrëveshjes kolektive, duhet siguruar sigura dhe shëndeti në punë, duhet nënshkruar skemat mbi nënshkrimet penzioanle. Ne kërkojmë që kërkesat tona të hasin në veshtë e duhur dhe te personat e duhur”, ka deklaruar Ajdini.
Ai para protestuesve ka folur edhe për qëllimin e 1 Majit, duke e përmendur që në shumicën e vendeve në botë protestohet kurse, te ne jo.
Nënkryetari i korporatës energjetike, Negjat Llumnica në këtë protestë paraqiti kërkesat e punëtorëve të kësaj korporate, të cilat sipas tij janë duke u shkelur vazhdimisht. Ai ka theksuar se, pulorët e sektorit privat nuk kanë guxim as t’i shprehin pakënaqësitë e tyre. “Çdo ditë në Kosove vdesin punëtorët në vendet e punës. Punëtorët e sektorit privat nuk guxojnë ti shprehin pakënaqësitë e tyre“, ka thënë Llumnica. Në fund të protestës, Llumnica ka kërkuar nga punëtorët e korporatës t’i dorëzojnë certifikatat e dedikuara për kryeministrin, ministrat, deputetët para Qeverisë.