Nis punën për herë të parë Shërbimi Stomatologjik Pediatrik në Skenderaj
Ka nisur punën për herë të parë Shërbimi Stomatologjik Pediatrik në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, pas përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisjes lokale për funksionalizim të shërbimeve në spitalin e qytetit tonë.
Për të parë nga afër punën dhe interesimin e fëmijëve për të kontrolluar dhe mjekuar dhëmbët, kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe drejtori për Arsim, Kastriot Duraku, i cili ka dhënë kontribut në angazhimin dhe përfshirjen e shkollave në këtë fushatë parandaluese të sëmundjeve orale, e kanë vizituar repartin dhe i kanë përgëzuar mjekët stomatologë të QKMF-së, për shërbimet e ofruara.
Nura është shprehur i lumtur për fillimin e punës në repartin pediatrik stomatologjik, ndërkohë që ka biseduar edhe me fëmijët që prisnin radhën për të kontrolluar dhëmbët.
“Ky shërbim po ofrohet për herë të parë, pas përpjekjeve tona për të funksionalizuar çdo shërbim publik mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Dhëmbët duhet të jenë të shëndoshë edhe tek fëmijët, e për të arritur këtë, nevojitet mjekim dhe ruajtje e shëndetit të tyre”, ka thënë i pari i Skenderajt. Që prej se filloi mandatin, kryetari Nura është angazhuar për të funksionalizuar të gjitha shërbimet spitalore dhe shkurtuar radhët e pacientëve për të marrë shërbime mjekësore.
Gjatë kësaj kohe, janë funksionalizuar disa shërbime në radiologji, duke e vënë për herë të parë aparatin mamografik dhe pajisje të tjera të nevojshme për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme.