Nis punimet samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë (video)
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor janë pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ambientet e kryeministrisë, për të vazhduar më pas punimet në Samitin e Procesit të Berlinit.
Pas ceremonisë së pritjes, liderët i janë drejtuar Piramidës, aty ku do të zhvillohen punimet e Samitet. Dy janë elementët kryesorë për t’u analizuar në Samitin e Procesit të Berlinit.
Së pari elementi politik. Një prej shtyllave të Procesit të Berlinit themeluar në vitin 2014 është fqinjësia e mirë në rajon. E në këtë kontekst situata e tensionuar pas 24 Shtatorit në Veri të Kosovës është një temë për t’u diskutuar aq më tepër që në Tiranë nesër do të jenë dy arkitektët e planit franko-gjerman.
Aspekti i dytë dhe më i rëndësishmi, ai me karakter ekonomik.
Në 31 maj 2023 nga forumi, GLOBSEC në Bratislavë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se BE-ja është duke punuar për “New Plan Growth” (Planin e rritjes) për vendet e rajonit por nuk dha shifra se ku konsiston ky plan në terma financiar.
Një burim diplomatik në Komisionin Evropian, ka thënë për “Top Channel” se “me gjasë nga Samiti Procesit të Berlinit, presidentja Ursula von der Leyen do të flasë me terma konkrekt për të ashtuquajturin “Plan i Rritjes”.
Bëhet fjalë për një paketë prej 28 miliardë euro:
– 2 miliardë për Planin e Rritjes
– 26 miliardë përmes fondeve IPA.
Kjo paketë do të jetë komplementare krahas asaj të deritanishme me 30 miliardë euro nga “Plani Ekonomik dhe i Investimeve” lansuar në 2020, nga i cili deri me tani janë investuar në projekte të ndryshme 16 miliardë.