Nis renovimi i tunelit të Kurrizit, Komuna publikon foto se si do të duket
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se kanë nisur punimet për renovimin e tunelit të Kurrizit.
Në faqen zyrtare të komunës janë publikuar edhe fotografi se nga pamja që do të marrë tuneli pas punimeve.
Në njoftim thuhet se ky projekt synon të përmirësojë qarkullimin dhe infrastrukturën, duke përfshirë riorganizimin e trafikut dhe hyrjeve e daljeve, si në ditët e zakonshme me qarkullim të automjeteve, ashtu edhe në ditët kur mbahen aktivitete.
“Projekti gjithashtu do të rrisë sigurinë për këmbësorët, biçiklistët dhe vozitësit, dhe do të përmirësojë infrastrukturën e përgjithshme, duke përfshirë ndriçimin, largimin e ujërave atmosferik dhe kontrollin e gazrave të emetuara nga automjetet dhe bizneset ekzistuese. Tuneli do të shndërrohet në një qendër dinamike për aktivitete kulturore dhe komerciale, ku do të organizohen koncerte, ekspozita dhe festivale. Gjithashtu, tregjet e fermerëve dhe panairet lokale do ta kthejnë këtë zonë në një pikë të rëndësishme takimi për qytetarët”, thuhet tutje në njoftim.