Nis rregullimi i rrugëve në pjesën e vjetër të qytetit të Gjakovës
Komuna e Gjakovës ka njoftuar se ka filluar faza e parë e rregullimit të rrugëve të pjesës së vjetër të qytetit. Kjo komunë ka theksuar se këto rrugë do të shtrohen me kubëza graniti. “Ditët plot diell të tetorit, kanë dhënë hapësira për të punuar më me intensitet në projekte që lehtësojnë jetën e banorëve të komunës sonë. E sot ka filluar faza parë e rregullimit të rrugëve të pjesës së vjetër të qytetit e cila do të shtrohet me kubëza graniti. Ky projekt do të shtrihet nga shkolla ‘Kelmend Rizvanolli’ përgjatë rrugës ‘Bajram Daklani’, punimet e së cilës në tërësi do të zgjasin dy vite e gjysmë dhe ka mundësi që kohë pas kohe të shkaktojnë ngecje në trafik ose probleme tjera infrastrukturore të cilat do të mund të ndodhin për shkak të ndërrimit të gypave të azbestit apo kanalizimeve”, ka njoftuar Komuna e Gjakovës.
Sipas kësaj komune, projekte të tilla mund të shkaktojnë pak kaos, mirëpo përfundimi i tyre është në dobi të banorëve për dekada të tjera.