Nis rregullimi i varrezave të dëshmorëve në Malishevë
11 maj 2018
| 14:46
Ka nisur rregullimi i hapësirës, përkatësisht ndërtimi i lapidarit në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, aty ku prehen të gjithë dëshmorët e Brigadës 122 “Imer Krasniqi”.
Ndërtimin dhe rregullimin e sheshit në këto varreza është duke e bërë Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës.
Këto punime kanë filluar tani në prag të shënimit të 16 qershorit, Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës dhe Ditës së Çlirimit të Komunës së Malishevës që lidhet me rënien e dëshmorit të parë, Imer Krasniqi, i rënë më 16 qershor të vitit 1998, dhe të dëshmorit të fundit, Mentor Gashi i rënë më 16 qershor të vitit 1999. Më 16 qershor 1999 është çliruar komuna e Malishevës.