Nis samiti i Procesit të Berlinit, Scholz: Qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund të kenë besim te ne
“Qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund të kenë besim te ne. Europa është e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor”, kështu është shprehur kancelari gjerman në samitin e Procesit të Berlinit, i vili nisi sot rreth orës 09:00.
Liderët e Ballkanit Perëndimor nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia u mblodhën sot në Berlin për të nënshkruar 3 marrëveshje që parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave dhe njohjen dhe kualifikimet për profesionistët.
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Berlin, Gjermani, si pjesëmarrës në Samitin “Procesi i Berlinit 2022”.
Samiti drejtohet nga kancelari federal Olaf Scholz, me pjesëmarrjen e drejtuesve të qeverive dhe kryetarëve të shteteve nga Ballkani Perëndimor, përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse të BE-së, si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale.
Axhenda e Samitit do të ketë në fokus të veçantë sigurinë energjetike dhe tranzicionin e gjelbër si dhe angazhimin e rajonit për të përshpejtuar zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Ai gjithashtu do të trajtojë iniciativat për të rritur zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të shpallur në kuadër të Procesit të Berlinit në nëntor 2020.
Kryeministri Rama u prit nga Kancelari Federal i Gjermanisë Olaf Scholz, në nisje të punimeve të ditës. Më pas, Kryeministri Edi Rama iu adresua me një fjalë Sesionit të parë të Samitit me temë “Bashkëpunimi Rajonal (përfshirë Çështjet e Migracionit) dhe Tregu i Përbashkët Rajonal”.