Nis seanca fillestare për rastin e vrasjes se Oliver Ivanoviqit
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca fillestare në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Në këtë rast gjyqësor akuzohen gjashtë persona, përfshirë: Marko Rashiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basara.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, të akuzuarit dyshohen për veprat penale: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, posedim i paautorizuar i armës, zbulim i sekretit zyrtar dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare duke manipuluar me provat.
Në gusht të vitit 2019, asokohe ministri në detyrë i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, ka thënë se i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit është Millan Radoiçiq, nënkryetar i subjektit politik serb Lista Serbe.
Radoiçiqi ndodhet ende në arrati.
Ky proces gjyqësor ishte paraparë që të fillonte kohë më parë, mirëpo u shty për shkak të ndryshimit të aktakuzës.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, Ivanoviqi ka qenë ndër politikanët më të rëndësishëm serbë, ndërkohë që për disa vite rresht ai është përballur me një proces gjyqësor nën akuzat për “rolin e tij” në vrasjen e shqiptarëve gjatë luftës së viteve 98-99.
Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018 në Komunën e Mitrovicës Veriore. /Rel/