
Nis seanca për votimin e qeverisë, Kurti propozohet për kryeministër
Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të votohet qeveria Kurti.
Në këtë seancë, Albin Kurti si kandidat për kryeministër do ta paraqes kabinetin qeveritar, ku pas diskutimeve do të dalë në votim.
Mbajtja e seancës vjen pasi ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka kërkuar fitueses së zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë mandatarin për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.
“Në letër, u.d. presidenti Konjufca, duke iu referuar dispozitave kushtetuese dhe njoftimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta krijuar Qeverinë e re”, është thënë në njoftimin e lëshuar nga presidenca.
Kërkesa që Lëvizja Vetëvendosje të mandatojë kandidatin për kryeministër, vjen pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 22 mars, ku me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.