Bruksel: Nis takimi Thaçi-Vuçiq
Ka nisur takimi tre palësh në mes të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në këtë takim i cili po zhvillohet në Bruksel në kuadër të dialogut, do të diskutohet për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Para këtij takimi, Thaçi ka deklaruar se do të punojë me vullnet të mirë për të arritur marrëveshje me Serbinë.
Sipas tij, kjo marrëveshje ka fuqinë që të hapë perspektivën evropiane për të dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë.
“Sot jemi këtu në Bruksel për të shënuar fillimin e fazës finale të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian për rolin që e ka marrë në udhëheqjen të këtij procesi, por dhe mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E di që do jetë një proces i vështirë, i rëndë, por është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për arritjen e paqes dhe marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe pajtim. Kosova është gati të punoj në mënyrën shumë të përgjegjshme që të arrihet marrëveshja duke u bazuar në standardet dhe vlerat evropiane”, ka thënë Thaçi.
Para se të ndodhë takimi trepalësh, Mogherini ka takuar ndarazi Thaçin dhe Vuçiqin.