Nis takimi i përbashkët i kryeministrave të Ballkanit me Mogherinin
Në Bruksel ka nisur një takim i përbashkët i kryeministrave të shteteve të Ballkanit, i organizuar nga shefja për diplomaci e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini.
Në këtë tubim joformal, darkë pune, ku po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës , Ramush Haradinaj, do të flitet për gjendjen në rajon, por edhe për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijanqiq, ka publikuar një fotografi para fillimit të këtij takimi, ku shihet shefja e diplomacisë evropiane, bashkë me shefin e ekzekutiv të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe homologët e tij nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.
Para takimit, Mogherini ka pritur veç e veç në takime të gjithë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit. Haradinaj ka qenë i pari që është pritur nga Mogherini.
Takimi në Bruksel shënon rastin e parë të takimit të Haradinajt me një kryeministër të Serbisë. /Express