Nis votimi për shkarkimin e presidentit Meta
Deputetët në Shqipëri nuk kanë humbur kohë dhe kanë nisur votimin e fshehtë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Ndërkohë disa të tjerë vazhdojnë të flasin duke gjykuar mbi veprimet e Metës, që janë konsideruar si shkelje të rënda nga Komisioni i Posaçëm Hetimor, raporton “Top Channel”.
Në seancë janë dy kuti votimi, një prej tyre i përket raportit për shkarkimin e Metës, ndërsa tjetra për shkarkimin ose jo të presidentit Ilir Meta.
Deri më tani, Artur Roshi dhe Lefter Maliqi kanë shprehur publikisht se do të votojnë kundër shkarkimit të presidentit, ndërsa Ralf Gjoni është shprehur se do të kundërshtojë vendimin.
Në pamje duket se si deputetët shkojnë me radhë drejt kutive të votimit për të hedhur votën e tyre, ndërsa vijon diskutimi në seancën plenare.
Në këtë përballje finale me Ilir Metën socialistëve u duhen 94 vota të cilat të vetëm nuk i kanë.
Megjithatë nuk pritet ndonjë surprizë por me interes do të shihet, numri total i votave pro shkarkimit, që do të prodhohen nga ky votim. Kujtojmë se Ilir Meta ka shprehur vendosmëri në qëndrimin në presidencë deri në korrik 2022-s.