Nis zyrtarisht punën Njësiti kundër mashtrimeve, ambasadori Kosnett bën thirrje për transparencë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett, ka vizituar të martën Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, me rastin fillimit të punës së Njësitit kundër mashtrimeve.
Kosnett në fjalën e tij, ka thënë se vetëm një e treta e rekomandimeve të kësaj zyre po trajtohen nga institucionet e Kosovës.
“Institucionet e Kosovës nuk po bëjnë punën e tyre. Vetëm një e treta e rekomandimeve të kësaj zyre janë trajtuar në vitet e fundit”.
“Problemi qëndron se nuk ka ndëshkim nëse një institucion i shpërfill këto gjetje. Edhe Kuvendi i Kosovës që e mbikëqyr Zyrën e Auditimit është bashkëfajtor në këtë shpërfillje”, ka thënë Kosnetti.
Më tutje, ai ka thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë institucione ku transparenca është në rend të parë.
“Kosovarët meritojnë institucione që e përfaqësojnë tërësisht transparencën dhe llogaridhënien. Prandaj ky projekt po përkrahet edhe nga ShBA”.
“Qeveria e ShBA-së, duke iu ofruar ndihmë teknike ka mbështetur hisedarët për auditimin. Por, tani ka ardhur koha që përgjegjësit dhe liderët të marrin përgjegjësi. I bëjë thirrje Policisë së Kosovës dhe Zyrës së prokurorit që të bashkëpunojnë me zyrën e Auditimit Kombëtar të Kosovës”, ka deklaruar Kosnetti.