Nisen edhe qindra ton ushqim për në Gaza
Një anije me ndihma ushqimore është larguar nga porti në Qipro dhe është nisur për në Gaza.
Anija që përdorej për kërkim dhe shpëtim, me flamur spanjoll u nis nga porti qipriot i Larnakas të shtunën, ka bërë të ditur Oscar Camps, themelues i një organizate bamirësie.
Operacioni për transportin e ndihmave në Gaza nga deti drejtohet nga World Central Kitchen, një organizatë joqeveritare që tashmë ka nisur një dërgesë ndihme nga Qipro në fillim të këtij muaji, shkruan CNN.
Bëhet e ditur se ngarkesa e ushqimit është qindra ton që do të transportohet për në Gaza, ndërsa këtë muaj, World Central Kitchen ka thënë se pothuajse 200 ton ndihma u dërguar me anije në Gaza, në një operacion të kryer në bashkëpunim me qeverinë e Emirateve dhe Open Arms, me mbështetjen e Qipros.