Nishani paralajmëron radikalizim të aksionit opozitar në Shqipëri
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani është shprehur se opozita ka hyrë në fazën e betejës finale, dhe se do të ketë një radikalizmim më të madh politik të këtij procesi.
“Opozita në gjykimin tim ka hyrë në fazën e betejës finale. Përderisa nuk kemi një proces të përfunduar, nuk mund të themi që dështoi qëllimi i opozitës. Mendoj se do të ketë një radikalizmim akoma më të madh politik të këtij procesi; të përballjes së qytetarëve me këtë që është tashëm që është instaluar si regjim monopartiak. Aksioni politik i opozitës synon rrëzimin e qeverisë e Edi Ramës si kryeministër, jo për shkak të betejës politike por që sot ka edhe një objektiv edhe më të madh që shkon përtej rrëzimit të pushtetit. Ka një vizion më të gjerë opozita sot për të instaluar një mënyrë të re të bërjes së shtetit. Procesi politik nuk ka përfunduar dhe kemi hyrë në një fazë të re”, ka thënë Nishani në emisionin “Top Talk” të “Top Channel”-it.
I pyetur nëse aksioni politik i ndërmarrë nga opozita është duke e dëmtuar PD-në, Nishani është përgjigjur: “Nuk jap një definicion përfundimtar sepse do jetë e ardhmja ajo që do vërtetojë nëse PD-ja është dëmtuar, por institucionet formalisht kanë rënë në Shqipëri. Jemi në një regjim anarkist. Nuk ka asnjë lloj mekanizmi që të kontrollojë e të marrë balancat midis shteteve. Disa institucione nuk janë funksionale, disa nuk funksionojnë. Për sa kohë institucionet kanë rënë, opozita nuk mund të jetë në një vend ku ekziston boshllëku. E vetmja vend që i ka mbetur opozitës është rruga dhe ajo ka dalë në rrugë”.