Nishevci i pesti, Karaqi i shtati në “Berlin 2018”
Herolind Nishevci ka zënë vendin e pestë në Karate 1 Premierë Ligën “Berlin 2018”. Karateisti nga Kosova të dielën humbi luftën për medaljen e bronztë nga kroati Angjelo Kvesiq, kategoria +84 kilogramë.
Deri tek vendi i pestë, Herolindit iu deshtë t’i mposhtë katër kundërshtarë. Ai kaloi me sukses tre kundërshtarët e parë: Nicola Kaboush (Jordani), Martin Nestorovski (Maqedoni), Raoul Santarelli (Itali), kurse u mund në çerekfinale nga Sajad Ganjzadeh (Iran). Në repesazh mposhti Yaparsan Yapanoglu (Turqi). Nishevci fitoi pikët e para olimpike për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
Sukses të madh shënoi edhe Alvin Karaqi, që mposhti tre kundërshtarë: Berat Jakupin (Maqedoni), Zvonimir Zivkoviq (Kroaci), Turgut Hasanov (Azerbajxhan), ndërsa u mposht në çerekfinale nga Ryutaro Araga (Japoni).
Karaqi zuri vendin e shtatë në kategorinë -84 kg. Pikë olimpike fituan edhe Orges Arifi (-60 kg) dhe Fortesa Orana (+68 kg), që fituan nga një luftë, kurse Elhami Shabani, Gresa Zhitia dhe Adelina Rama, nuk arritën t’i kalojnë kundërshtarët e parë. Premierë Liga “Berlin 2018” ishte gara e parë për pikë olimpike për karateistët tanë, të cilët i pret një rrugë e gjatë në dy vjetët e ardhshëm.