Nisi punimet konferenca shkencore ndërkombëtare në UPZ
Konferenca e katërt shkencore ndërkombëtare “The East of the West and West of the East” e mbajtur më herët në Prizren, Pragë dhe Ohër, sivjet përsëri është duke u mbajtur në Prizren, kryeqytetin kulturor të Ballkanit.
Kjo konferencë është organizuar nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren në bashkëpunim me universitetet turke, Universitetin e Trakyas, Universitetin Hakari si dhe Universitetin e Muglas.
Për pjesëmarrje në konferencë janë dërguar gjithsej 112 abstrakte shkencore, prej të cilave janë pranuar gjithsej 76 abstrakte me autorë të vetëm, si dhe bashkautorë. Pjesëmarrësit në këtë konferencë ndërkombëtare janë nga Republika e Turqisë, Shqipërisë, Azerbajxhanit, si dhe nga Kosova.
Të martën mbrëmë është bërë hapja solemne e punimeve të konferencës nga nikoqiri, rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ismet Temaj.
Ai ka theksuar se organizimi për herë të dytë i kësaj konference nga UPZ-ja është një dëshmi se ky universitet është duke ecur me hapa të sigurt drejt realizimit të objektivave dhe synimeve që ka.
Ndërsa, Shemsi Morina, prorektor për mësimdhënie, çështje të studentëve dhe kërkime shkencore, ka thënë se kjo konferencë nuk do të mund të organizohej pa ndihmën e pa kursyer të bordit, komitetit shkencor e në veçanti të profesorit Turul, si dhe profesorit tjetër, Serdan Kervan të cilët sipas tij kanë bërë të pamundurën që çdo gjë të shkojë si duhet.
Në anën tjetër, Soner Yildirim, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ngritje të cilësisë, ka thënë se bashkëpunimi me universitetet turke është duke dhënë frytet e duhura dhe se do të punojnë më ngushtë që ngjarje të tilla të ndodhin edhe në të ardhmen.
Kurse, profesor Serdan Kervan nga këshilli organizativ i kësaj konference, ka falënderuar rektorin e UPZ-së, Ismet Temaj, për mbështetjen që i kanë dhënë realizimit të kësaj ngjarje shkencore.
/Epoka e re/