Nisin hetimet për dhunën në Kuvend, do të intervistohen të gjitha palët
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime për veprën penale “Sulm” në lidhje me dhunën në Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së sotme.
Përmes një komunikate për medie, prokuroria ka njoftuar se ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore.
Po ashtu, prokuroria mes tjerash ka treguar se do të merren deklaratat e palëve të përfshira në këtë procesit, që rrjedhimisht, janë deputetët dhe ministrat.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast. Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë”, është thënë në njoftim.