Nisin hetimet për vrasje pas gjetjes së 39 trupave në Britani
Një kamion transporti, me 39 trupa të pajetë, që është gjetur nga policia britanike në juglindje të Anglisë, dyshohet se ka arritur atje nga Bullgaria.
Policia britanike tha se një 25-vjeçar, i cili ka vozitur automjetin, është arrestuar.
“Një hetim për vrasje ka nisur. Vozitësi i kamionit, 25 vjeç, nga Irlanda Veriore, është arrestuar nën dyshimet për vrasje dhe mbetet në paraburgim”, ka thënë Pippa Mills, zëvendësshefe e policisë në Esiks të Anglisë.
Trupat e 38 personave të rritur dhe një adoleshent janë gjetur në Parkun Industrial Waterglade, rreth 32 kilometra larg Londrës.
Policia ka thënë se viktimat nuk janë identifikuar ende.
Andrew Mariner, kryeshef i policisë në Esiks, u ka thënë gazetarëve se kamioni besohet se ka hyrë në Britani më 19 tetor përmes portit në Uells.
Kryeministri irlandez, Leo Varadkar, ka thënë se po bëhen hetimet për të përcaktuar nëse kamioni ka kaluar nëpër vendin e tij, raporton “Rel”.
Autoritetet bullgare kanë thënë se nuk e kanë konfirmuar ende nëse kamioni ka regjistrim bullgar ose nëse ai e ka nisur udhëtimin nga Bullgaria.
Autoritetet britanike nuk dhanë detaje se sa nga viktimat janë burra ose gra.
Ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson, u ka thënë ligjvënësve se incidenti është një “tragjedi e paimagjinueshme”.