Nisin inspektimet për keqpërdoruesit e rrjetit të ujësjellësit

14 qershor 2021 | 11:15

Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “​Prishtina”, ka njoftuar se ka nisur inspektimi i terrenit për kyçjet ilegale, manipulimet me valvola dhe ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit.

Kjo kompani ka bërë me dije se inspektimi do bëhet në zonën e Prishtinës, Fushë-Kosovës, Drenasit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Graçanicës dhe Obiliqit.

“Kjo dukuri vështirëson furnizimin me ujë gjatë muajve dhe viteve në vazhdim, prandaj kërkojmë nga të gjithë konsumatorët të na lajmërojnë për çdo keqpërdorues që hasin dhe çdo informacion nga ana e tyre do te jetë anonim”, është thënë në njoftimin për medie të kësaj kompanie.

 

Njoftimi i plotë:

Gjatë kësaj jave, po fillojmë intensivisht me inspektimin e terrenit në të gjithë zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Drenas, Shtime, Lipjan, Podujevë, Graçanicë dhe Obiliq.

Inspektorët në të gjithë zonën e shërbimit do të jenë në aksion ditor, me ç’rast do të kontrollojnë shtëpi për shtëpi keqpërdoruesit e ujit të pijshëm ( kyçjet ilegale ,manipulimet me valvola dhe forma të tjera të ndërhyrjeve të paautorizuara),  me qëllim të ndaljes së kësaj dukurie negative dhe marrjen e masave sipas Ligjit, për të gjithë ata që vazhdojnë të abuzojnë me ujin e pijshëm. Kjo dukuri vështirëson furnizimin me ujë gjatë muajve dhe viteve në vazhdim, prandaj kërkojmë nga të gjithë konsumatorët të na lajmërojnë për çdo keqpërdorues që hasin dhe çdo informacion nga ana e tyre do te jetë anonim.

Fillimisht ju informojmë se çfarë do te thotë kyçje ilegale në rrjetin e ujësjellësit, si kategorizohen dhe pasojat e kësaj dukurie te mbështetura ne ligje.

Lidhjet e paligjshme mund të kategorizohen si më poshtë :

Bypass-i i njehsorit: Konsumatori ka një tub alternativ që merr ujin përpara njehsorit.

Lidhja e paligjshme: Konsumatori nuk është klient i sistemit të furnizimit me ujë por është lidhur vetë ne rrjetin e ujesjellësit apo kanalizimit.

Rilidhja e paligjshme: Konsumatori lidhet përsëri me rrjet, pasi të jetë shkëputur për mospagesë.

Kthimi i njehsorit: Konsumatori instalon njehsorin në mënyrë të kundërt në mënyrë që të numërohet mbrapsht deri në leximin e dëshiruar.

Ndërhyrja e njehsorëve: Konsumatori qëllimisht manipulon njehsorin në mënyrë që të ndikojë në efikasitetin ose funksionalitetin e tij.

Rregullorja Nr.10/2019 për standardet minimale të shërbimeve të ujit në Kosovë, thotë si më poshtë:

Neni 21: Ndërprerja e lidhjes së paautorizuar në shërbime

  1. Ndërhyrjet, lidhjet e paautorizuara d.m.th. të pa-aprovuara nga ofruesi i shërbimeve dhe dëmtimet në sistemet e ujësjellësit dhe kanalizimit përbëjnë vepër penale të parapara në nenin 30, paragrafi 2 të Ligjit Nr.05/L-042 per Rregullimin e Shërbimeve të Ujit.
  2. Çdo lidhje e paautorizuar në rrjetin e ujësjellësit dhe/ose rrjetin e kanalizimit duhet të ndërprehet brenda pesë (5) ditëve të punës nga data e zbulimit, përveç nëse personi i lidhur në mënyrë të paautorizuar nënshkruan kontratën për shërbime me ofruesin e shërbimeve dhe paguan të gjitha ngarkesat e faturuara nga ofruesi i shërbimeve, në bazë të rregullave dhe tarifave të lëshuara nga Autoriteti.

Poashtu,  sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (Kodi Nr.06/L-074), Neni 314 parasheh se në rastet e vjedhjes së shërbimeve të ujit (që këtu klasifikohen kyçjet ilegale) mund të denohen me gjobë ose me burgim deri 3 vite.

Konsumatorë të nderuar,  jini të vëmendshëm, mos abuzoni me ujin e pijshëm, sepse do të ndëshkoheni!

Duaje ujin, sikurse jetën!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bedri…