Nisin në Durrës stërvitjet ushtarake të NATO-s, Meta: Mundësi e shkëlqyer për forcat tona të armatosura
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka mbajtur fjalën përmbyllëse në Portin e Durrësit ku ka nisur stërvitja më e madhe me dislokimin për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Evropë.
Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit u shpreh mirënjohës që për herë të parë NATO zhvillon një ushtrim të këtyre përmasave në Shqipëri dhe në rajon.
Meta deklaroi se kjo stërvitje është një mundësi e shkëlqyer edhe për forcat tona të armatosura.
“Një mundësi të shkëlqyer për forcat tona të armatosura për të testuar aftësitë operacionale të njësive dhe të strukturave, jo vetëm të luftimit por edhe atyre mbështetëse, duke rritur kështu nivelin e përgatitjes dhe ndërveprueshmërinë në përmbushje të misionit kushtetues dhe përgjegjësive tona ndaj aleancës.”
Ky, sipas kreut të shtetit, është një rast i shkëlqyer për të njohur mjedisin rajonal.
“…Në këtë kontekst, e rëndësishme që Shqipëria të arrijë atë nivel besueshmërie që kërkon dhe pozicioni dhe roli i saj strategjik.”
Meta u shpreh i bindur që pjesëmarrësit e ushtrimit do të mbeten me përshtypjet më mbresëlënëse nga mikpritja e shqiptarëve.