Nisin punimet për autostradën Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradiaj, ka marrë pjesë të dielën në 19-vjetorin e Betejës së Zhegocit dhe bëri homazhe te lapidari i dëshmorëve të rënë në këtë betejë.
Përkitazi në nderim të të rënëve nga kjo betejë, të dielën kanë nisur edhe punimet për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, në të cilën kryeministri Haradinaj ka mbajtur edhe një fjalë rasti.
Para shumë përfaqësuesve të jetës politike të Kosovës, ministra, zëvendësministra, por edhe përfaqësues nga Presheva, kryeministri Haradinaj ka thënë se këtë vit ndihemi më mirë se vitet tjera, kur i kujtojmë të rënët për liri, sepse sipas tij po bëhemi bashkë, po bashkohet Presheva me Prishtinën.
“Autorruga që lidh Gjilanin-Dheun e Bardhë, i lidh shqiptarët, ekonominë, por edhe ndjenjat”, është shprehur kryeministri, duke shtuar se rreth 87 milionë euro të pjesës së parë të projektit janë të zotuara dhe kohëzgjatja e realizimit është 30 muaj.
“Ajo që më bën të krenohem sot, është se po i dalim zot çdo pjese të atdheut dhe Prishtina, do të jetë e lidhur me Pejën, Gjakovën, Gjilanin, Preshevën, Shkupin, Tiranën. Pra, gjithë infrastruktura e Kosovës do të jetë e përmbyllur”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se deri më 2023 asnjë qendër e Kosovës nuk do të jetë e palidhur me autorrugë.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se falë gjakut të dëshmorëve, ne kemi mundësinë e investimeve dhe modernizimit të infrastrukturës sonë rrugore.
Ministri Lekaj ka njoftuar gjithashtu se në fillim të vitit 2019 do të fillojë autostrada tjetër Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ky integrim i jep Kosovës mundësi, që edhe në korridorin e kombit, Anamorava dhe kjo pjesë, të integrohen më pak se gjysmë ore, por edhe Kosovës në daljen e korridorit të dhjetë ndërkombëtar, që është Shkup-Selanik.
Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë do të jetë 22.6 kilometra, me katër korsi. Kjo autostradë do të shkurtojë kohën e lëvizjes nga Prishtina në Gjilan, e në këtë drejtim edhe me Kosovën Lindore dhe anasjelltas.
Për kryeministrin Haradinaj, merita e nisjes së një projekti kaq të rëndësishëm infrastrukturor dhe ekonomik, nuk është meritë vetëm e tij apo vetëm e Qeverisë Haradinaj, por është meritë e gjithë qeverive, e qytetarëve dhe taksapaguesve.