Nisja e gjyqit të madh dhe aktakuza të reja nga Haga
Haga ishte kryeqendra e zhvillimeve për ish krerët e UÇK-së. Aty filluan gjykime e u dhanë verdikte të shkallës së dytë. Por, për punën që po zhvillohet në Hagë, gjatë vitit 2023 vëmendja u kthye edhe në Kosovë. Rrjedhimsht, u konfirmuan edhe aktakuza të reja për ndërhyrje në drejtësi.
Viti 2023, ishte vit i ngarkuar për Gjykatën Speciale.
Disa çështjeve iu dha vula e vendimit të prerë, e disa të tjerave iu hap dera e procedurës paraprake.
Gjykimi maratonik, me më së shumti të akuzuar, filloi në muajin prill.
Katërshja e UÇK-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, nisën përballjen para trupit gjykues me akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për krime lufte.
Deri më tani janë dëgjuar dhjetëra dëshmitarë të prokurorisë.
Shumica prej tyre nën masa mbrojtëse, çka solli seanca private, që u kritikuan në vazhdimësi.
Në mënyrë të organizuar, nisja e gjyqit të katërshes, u përcoll me protesta jashtë gjykatës.
Simbolet e UÇK-së dhe këngët patriotike ishin pikat kyqe të protestës.
Ky nuk ishte gjykimi i vetëm që filloi këtë vit kalendarik.
Pjetër Shala, po ashtu nisi betejën para trupit gjykues rreth akuzave për krime lufte.
E vendim të formës së prerë, mori Salih Mustafa.
Në apel, atij iu vërtetua fajësia për krime lufte.
Shkalla e dytë, Mustafës ia uli dënimin, nga 26 në 22 vite burgim.
Zvogëlim të dënimit për tre muaj, patën Gucati e Haradinaj, me vendim të shkallës së dytë.
Mirëpo, ky nuk është vendimi i vetëm ndaj tyre.
Në Kosovë u kthyen për ta vuajtur dënimin me kusht, Gucati dhe Haradinaj.
Fillimisht u lirua Gucati, i cili u prit nga shumë bashkëluftarë e bashkëvendas.
E dy muaj më vonë, edhe Haradinaj, erdhi në Kosovë.
Qëndrimi i tyre është i varur nga disa kushte.
Herë pas here, puna e prokurorëve të specializuar u zhvendos në Kosovë.
Të asistuar nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i, u bastisën bashkëpunëtorë të të akuzuarve në Hagë, nën dyshime për ndërhyrje në proces dhe dëshmitarë.
Një pjesë e tyre, u finalizuan edhe në aktakuza të reja.
Dy herë u planifikua që të vinte në Kosovë.
Një herë e anuloi, ndërsa për të dytën herë, kryetarja e Gjykatës Speciale, erdhi por nuk u prit mirë.
Me protestë e gaz lotsjellës u shoqërua nga jashtë, takimi i saj me shoqëri civile e pjesëtarë të medias.
Përkundër kësaj, vizitat në Hagë, nga figura të ndryshme të jetës publike e familjarë të të akuzuarve, vazhduan përgjatë tërë vitit.
Këto të fundit, vazhdojnë të kompensohen nga shteti i Kosovës.
Mbi 133 mijë euro, i kushtuan kuletës së shtetit, mbulimi i shpenzimeve për vizitat e familjarëve të të akuzuarve.
Me shpenzime prijnë familjarët e Jakup Krasniqi me rreth 27 mijë euro, kurse me 0 shpenzime janë familjarët e ish presidentit, Thaçi.
Shteti i Kosovës, vazhdon të destinojë para edhe për mbrojtësit e ish-krerëve të UÇK-së.
Ku nga janari deri në dhjetor, shuma e shpenzuar tejkalon 8 milionë euro./teve1