Nisja e hetimeve ndaj Liburn Aliut, Muja sulmon kryeprokurorin me pretendimin se merr urdhra nga Daut Haradinaj
Pas zgjerimit të hetimeve në rastin e shlyerjes së paligjshme të borxheve të ambalazhuesve të ujit deri te ministri Liburn Aliu, akterë të Vetëvendosjes kanë zgjeruar sulmet ndaj prokurorisë duke pretenduar se po veprojnë nën urdhra politikë të opozitës: më së fundi deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja.
Muja ka pretenduar se kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka marrë urdhra nga Daut Haradinaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së, i cili ditë më parë në një studio televizive ka dhënë informacione se mund të arrestohet dy ose tre ministra.
“Saimir Mane njëfarë vakti edhe në Kosovë ka bë ligje kur ka qenë qeveria Hoti. Me propozim të Grupit Parlamentar të AAK-së, në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike ishte shtu një amandament për një nen që parashihte lirim të energjisë elektrike për Ferronikelin, i cili atë kohë ishte në pronësi të Saimir Manes dhe të pezullohen pagesat e rentës minerare. Komisioni i Minierave (KPMM) nuk e kishte ngarkuar asnjëherë Ferronikelin me rentë minerare siç parashihte ligji. A e ka hetu ndonjëherë Prokuroria këtë pazar? Apo ndoshta Dauti nuk i ka thënë Blerim Isufajt me e hetu këtë rast”, ka shkruar Muja në “Facebook”.