Nisja e sesionit parlamentar 2023-2024, presidenti i Shqipërisë mesazh Kuvendit

04 shtator 2023 | 10:17

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i është drejtuar me një mesazh Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me rastin e çeljes së sesionit parlamentar 2023-2024.

Teksa i uron deputetëve një fillim të mbarë të sesionit të ri parlamentar, presidenti Begaj shpreh vlerësimin për punën dhe iniciativat e parlamentit, në mazhorancë apo opozitë, dhe nënvizon se çelja e këtij sesioni e gjen Shqipërinë përpara sfidave për zgjidhjen e të cilave Kuvendi ka një rol thelbësor.

Duke u ndalur te cilësia e dialogut politik, Presidenti Begaj vlerëson se cilësia e shkëmbimeve të ideve mes krahëve politike, po aq sa përfshirja në diskutime konstruktive, fatkeqësisht lë ende shumë për të dëshiruar.

“Dua t’ju përcjell kërkesën e qytetarëve tanë, të cilët kanë  nevojë që t’ju shohin e t’ju dëgjojnë tek diskutoni për të tashmen e të ardhmen e tyre, pa humbur kohë me personalizimin e debateve dhe fyerje reciproke, skena këto që i zhgënjejnë, i bëjnë pesimist  dhe i distancojnë ata nga politika”, shprehet presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit vazhdon më tej në mesazhin e tij: “Thirrja ime është e thjeshtë: kthejeni Kuvendin në hapësirën e pajtimit dhe në vendin e debateve konstruktive, ku profesionistë të ndryshëm, media, studentët, shoqëria civile, diaspora dhe përfaqësuesit e shtresave të ndryshme sociale e të pakicave kombëtare, të kenë dëshirë të përfshihen për t’i dhënë një shtysë të fortë reformave për integrimin evropian dhe zhvillimin social-ekonomik të vendit”.

Presidenti e konsideron një problem serioz atë të emigrimit të të rinjve dhe të shtetasve të mirëedukuar e mirëkualifikuar.

Sipas tij, duhen ndërmarrë iniciativa ligjore për një zhvillim të qëndrueshëm në fushat prioritare dhe në sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit, jo duke plotësuar vetëm nevojat aktuale të shoqërisë, por duke mbajtur në konsideratë edhe brezat e ardhshëm.

“Promovimi i rritjes ekonomike gjithpërfshirëse, me qëllim që të përfitojnë të gjithë shqiptarët kërkon konkurrencë të ndershme, çmime të pranueshme, shërbime cilësore dhe personel të mirëedukuar dhe të mirëkualifikuar”, thotë në mesazhin e tij presidenti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Uliks Fehmiu Shkrimtari dhe producenti italian Francesko Skardamalja ka…