Nisma, 99.9 për qind do të shkojë e vetme në zgjedhje
Anëtari i kryesisë i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka deklaruar që, sipas të gjitha gjasave, kjo parti do të shkojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen në fillim të muajit të ardhshëm.
Ai ka thënë se këtë po e determinojnë zhvillimet e fundit politike.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Berisha ka shprehur optimizëm për rezultatet që do t’i arrijë kjo parti në zgjedhje. “Sipas zhvillimeve që janë duke ndodhur ditët e fundit, Nisma Socialdemokrate 99.9 për qind do të hyjë si subjekt i vetëm në zgjedhje”, ka thënë Berisha.
Ai është shprehur i bindur se nëse kjo parti shkon e vetme në zgjedhje, çështja e pragut nuk do të jetë problem. Ai ka bërë me dije se tani Nisma është fokusuar drejt objektivit që synon t’i realizojë në këto zgjedhje. “Bazuar në të gjitha të dhënat që i kemi marrë nga terreni, Nisma ka rreth 55 mijë vota në gjithë Kosovën. Përkthyer në deputetë, i bie që pritet t’i kemi 8 deri në 9 deputetë në legjislaturën e ardhshëm në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Berisha.
Ai ka treguar se për koalicion me PDK-në nuk kanë folur pas aktgjykimit të Kushtetueses. Sipas tij, Nisma nuk do ta pretë PDK-në dhe asnjë parti tjetër. “Nuk kemi biseduar tani. Bisedat kanë qenë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, kemi biseduar në këtë frymë sepse është ditur që së shpejti do të ketë zgjedhje. Ndërsa tani, siç po shihet, PDK-ja e ka problemin e brendshëm. Pra, e ka një ‘humbje të rrugës’ brenda oborrit të vet”, ka deklaruar Berisha, duke shtuar se kjo parti do të jetë determinuese e zhvillimeve politike pas zgjedhjeve të reja.
“Tani jemi fokusuar te struktura e Nismës dhe tek elektorati i saj për të kontaktuar dhe për t’i shtuar votat e Nismës, në mënyrë që zëri i kësaj partie të jetë i fuqishëm në institucionet e Kosovës. Vetëm kështu Nisma do të jetë determinuese e zhvillimeve politike dhe institucionale pas zgjedhjeve që do të mbahen së shpejti”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, Nisma asnjëherë s’ka qenë më e gatshme për zgjedhje sesa tani. “Nisma Socialdemokrate kurrë më e gatshme për zgjedhje nuk ka qenë. Ne kemi qenë në organizim e sipër të kuvendeve zgjedhore, sepse në bazë të rrethanave politike ne kemi pasur paralajmërim që së shpejti do të shkohet në zgjedhje. Kështu që për ne, zgjedhjet nuk kanë qenë befasi”, është shprehur Zafir Berisha.
“Epoka e re”: Z. Berisha, shumë shpejt pritet të bëhet publike data e zgjedhjeve. Sa është e gatshme Nisma për këto zgjedhje?
Berisha: Nisma Socialdemokrate kurrë më e gatshme për zgjedhje nuk ka qenë. Ne kemi qenë në organizim e sipër të kuvendeve zgjedhore. Në bazë të rrethanave politike ne kemi pasur paralajmërim që së shpejti do të shkohet në zgjedhje. Kështu që për ne zgjedhjet nuk kanë qenë befasi. Natyrisht se tani na ka dalë angazhim ditor që të takohemi me strukturat. Dhe, në bazë të statistikave brendapartiake, Nisma do të hyjë e përgatitur në këto zgjedhje, edhe nëse ato mbahen brenda 24 orëve.
“Epoka e re”: Lidershipi i Nismës ka bërë me dije se synimet e kësaj partie janë që të shkojë në zgjedhje me ndonjë koalicion parazgjedhor. Cilat janë preferencat e Nismës për koalicion parazgjedhor?
Berisha: Ka pasur ndoshta një keqinterpretim edhe të qëllimshëm nga dikush për këtë çështje. Kryetari Limaj ka qenë dhe vazhdon të jetë i interesuar për një bosht të spektrit politik për t’i përballuar sfidat të cilat i ka Kosova para vetes. Ne kemi parasysh dy sfidat kryesore që kemi si shtet: përballjen me Gjykatën Speciale dhe dialogun me Serbinë. Këto dy tema kërkojnë individë të vendosur dhe të dëshmuar. Në këtë kuptim, z. Limaj ka qenë dhe vazhdon të jetë i interesuar që të ketë një bosht politik i cili hyn me këto synime në zgjedhje. Natyrisht, duke mos i harruar edhe sfidat me të cilat jemi duke jetuar tash e një vit, sidomos kriza ekonomike që ka ardhur si pasojë e pandemisë.
“Epoka e re”: Në këtë bosht politik është paraparë edhe PDK-ja?
Berisha: Jo vetëm në PDK, por edhe në parti të tjera ka individë të cilët kanë dëshmuar veten se janë të gatshëm për t’i dhanë edhe më tej Kosovës, pra në raport me disa individë që as një punë të vetme nuk e kanë kryer për Kosovën. Në fakt, ata janë qiraxhi në shtetin e Kosovës dhe të cilët tentojnë ta përfaqësojnë Kosovën në këto sfida të rëndësishme.
“Epoka e re”: A e keni diskutuar me PDK-në këtë çështje dhe cilat janë gjasat që të ndodhë një koalicion i tillë?
Berisha: Nuk kemi biseduar tani. Bisedat kanë qenë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, kemi biseduar në këtë frymë sepse është ditur që së shpejti do të ketë zgjedhje. Ndërsa tani, siç po shihet, PDK-ja e ka problemin e brendshëm. Pra, e ka një ‘humbje të rrugës’ brenda oborrit të vet. Ne nuk merremi me këto çështje sepse janë probleme të tyre. Tani jemi fokusuar te struktura e Nismës dhe tek elektorati i saj për të kontaktuar dhe për t’i shtuar votat e Nismës, në mënyrë që zëri i kësaj partie të jetë i fuqishëm në institucionet e Kosovës. Vetëm kështu Nisma do të jetë determinuese e zhvillimeve politike dhe institucionale pas zgjedhjeve që do të mbahen së shpejti.
“Epoka e re”: Po me LDK-në, mund të ketë ndonjë koalicion, nëse me PDK-në nuk bëni?
Berisha: Rrugëtimi i LDK-së me gjasë është i ndarë dhe nuk besoj se duhet të humbim kohë të mendojmë në atë drejtim. Sipas zhvillimeve që janë duke ndodhur ditët e fundit, Nisma Socialdemokrate 99.9 për qind do të hyjë si subjekt i vetëm në zgjedhje.
“Epoka e re”: Nëse do të hyni të vetëm në zgjedhje, do ta keni problem kalimin e pragut zgjedhor?
Berisha: Pas analizave që i kemi bërë, çështja e pragut nuk është problem për Nismën. Ne jemi fokusuar drejt objektivit tonë që synojmë ta realizojmë në këto zgjedhje.
“Epoka e re”: Cili është ky objektiv?
Berisha: Bazuar në të gjitha të dhënat që kemi marrë nga terreni, Nisma ka rreth 55 mijë vota në gjithë Kosovën. Përkthyer në deputetë, i bie që pritet t’i kemi 8 deri 9 deputetë në legjislaturën e ardhshëm në Kuvendin e Kosovës.
(Muhamet Koci)