Nisma- AKR, besojnë se do ta kalojnë pragun zgjedhor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet parlamentare, të cilat janë mbajtur ditën e diele (6 tetor). Sipas këtyre rezultateve preliminare të cilat nuk përfshijnë votat me kusht dhe ato nga diaspora, koalicioni NISMA-AKR nuk ka kaluar pragun zgjedhor.
Në zgjedhjet e së dielës, koalicioni NISMA-AKR ka marrë 39 mijë e 495 vota ose, 4.94 për qind.
Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të së dielës, për Telegrafin është deklaruar sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli.
“Disa vendvotime do të rinumërohen pasi që janë vërejtur disa gabime kemi shpresë që del diçka, po ashtu presim edhe numërimin e votave nga diaspora dhe me kusht, besojmë shumë që edhe aty kemi aty vota dhe do ta kalojmë pragun”, ka thënë ai për Telegrafin.
Telegrafi ka provuar të marrë edhe një koment nga Nisma Socialdemokrate, mirëpo këta të fundit nuk i janë përgjigjur thirrjeve të redaksisë. Ndërkohë, KQZ ka bërë të ditur se sipas rezultateve preliminare, partia fituese e zgjedhjeve parlamentare 2019, është Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 203 mijë e 52 vota ose 25.49 për qind. Pas VV-së, radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 197 mijë e 702 vota ose 24.82 për qind. Partia Demokratike e Kosovës zë vendin e tretë me 169 mijë e 211 vota ose 21.24 për qind. Në zgjedhjet parlamentare, kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind.