Nisma e gatshme për koalicion me PDK-në pas zgjedhjeve
Kryetari i Nismës Socialdemokrate ka thënë se pas zgjedhjeve do të shihen ofertat e partive.
Sipas Fatmir Limajt, nuk përjashtohet as një koalicion paszgjedhor me PDK-në, ndërsa në zgjedhje Limaj do të garojë me koalicion Nisma, AKR dhe PD.
Por, Fatmir Limaj, pret një aleancë edhe me Lëvizjen për Bashkim, dhe me Partinë e Drejtësisë dhe së bashku të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Varësisht ofertave që kemi pasur të githë, kemi parë që interesi i Kosovës është që Nisma e AKR të shkojnë së bashku”, tha ai.
Ndërkohë i pari i Nismës thotë se koalicioni që ai i prin do jetë një faktor në përbërjen e qeverisë së ardhshme.
“Një bosht politik i cili do të ketë një rol të jashtëzakonshëm në skenën politike të Kosovës, po i vëmë themelet e një boshti politik që në të ardhmen do të jetë një faktorë vendimtar”, tha Limaj për T7.
E ish bashkëpartiaku i Kadri Veselit thotë se nuk e ka problem të bashkëpunojë me Partinë Demokratike të Kosovës.
Siç thotë ai, pas zgjedhjeve do të shihen programet dhe interesat e përbashkëta të koalicionit që ai udhëheq me partitë që pretendojnë të udhëheqin vendin.
“Forcat politike e cila e merr besimin si forcë e parë politike, e ka të drejtën e mandatarit dhe për të përzgjedhur partnerë, e ne do të jemi aty për të shikuar ofertat e forcës politike që ka dalë e para, e pas asaj duke parë mundësitë e realizimit të programit tonë, atëherë ne e marrim vendimin të bashkohemi apo jo me partinë e parë që do të dilte nga zgjedhjet”, ka thënë ai.