Nisma e ka nënshkruar marrëveshjen me LDK-në, emrat e ministrave s’i ka ende

29 maj 2020 | 16:18

Nisma Socialdemokrate është në pritje të vendimit zyrtar nga Gjykata Kushtetuese për procedimin e mëtutjeshëm për formimin e qeverisë së re në krye me Avdullah Hotin.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, në një intervistë për EO tha se kjo parti e ka mirëpritur vendimin e së enjtes nga Gjykata Kushtetuese, kurse kërkoi që edhe partitë e tjera politike ta respektojnë aktgjykimin.

Shala njoftoi se e kanë nënshkruar marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës për planin qeverisës.

“Nisma Socialdemokrate ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Njëkohësisht, kërkojmë nga të gjitha subjektet politike ta respektojnë një vendim të tillë. Të vazhdohet tradita e respektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Besojmë se shumë shpejt, porsa të dalë në plotësi vendimi, të procedojmë për formimin e qeverisë së re”, u shpreh Shala.

Ai tha se si koalicion i kanë mbi 62 numra për thirrjen e seancës për votimin e qeverisë në bashkëpunim me AAK-në, Listën Serbe e minoritetet e tjera.

Mes të tjerash, Shala bëri të ditur se Nisma do ta ketë postin e zëvendëskryeministrit si dhe Ministrinë e Tregtisë e Industrisë dhe Ministrinë e Punës e Mirëqenies Sociale.

“Ne jemi në kontakt permanent. Kemi kontaktuar edhe dje pas daljes së vendimit. Porsa të marrim në plotësi zyrtarisht aktgjykimin, procedojmë me formimin e qeverisë. Ne jemi dakorduar, kemi marrëveshje të nënshkruar edhe për programin e ri qeverisës. Kemi mbi 62 vota. Sa i përket ndarjes së pozitave në qeverinë e re, marrëveshja është e përfunduar nga Nisma. Në qeverinë e ardhshme udhëheqim me postin e zëvendëskryeministrin, ministrinë e Tregtisë e Industrisë dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe poste të zëvendësministrave”, tregoi Shala.

Ndër të tjera, ai shtoi se Nisma ende nuk ka vendosur për emrat e ministrive, por para seancës do të bëhen publikë.

“Ende s’i kemi emrat për ministra, por para se të thirret seanca për formimin e qeverisë së re, emrat do t’i bëjmë publikë”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Seancën për votimin e qeverisë së re nuk mund ta…