Nisma kërkon hetim parlamentar për deportimin e shtetasve turq
Nisma Socialdemokrate ka mbajtur mbledhjen e kryesisë. Në këtë takim është diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, e veçanërisht për dëbimin e gjashtë shtetasve turq në Republikën e Turqisë.
Nisma vlerëson se me këtë veprim janë shkelur të drejtat e njeriut dhe janë cenuar rëndë themelet e demokracisë së vendit.
Po ashtu, Nisma vlerëson se Kosova si një shtet i pavarur dhe demokratik duhet ta zbatojë Kushtetutën e vendit dhe t’i respektojë obligimet që dalin nga e drejta dhe konventat ndërkombëtare.
“Me veprimet e djeshme nuk është respektuar hierarkia dhe as fryma të cilën synojmë ta ndërtojmë. Nisma përgëzon qëndrimin e deputetëve të pozitës dhe opozitës përkitazi me këtë çështje. Në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm për pasojat që mund të shkaktojë ky veprim. Transparenca e plotë dhe përgjegjësia e të gjithë njerëzve të përfshirë në këtë veprim është minimumi i asaj që duhet të bëhet urgjentisht!
Në funksion të kësaj Nisma kërkon hetim parlamentar për këtë çështje”, është bërë me dije në komunikatën e Nismës.