Nisma kërkon nga qeveria të heqë dorë nga politikat kundër veteranëve të UÇK-së
Nisma Socialdemokrate ka reaguar në lidhje me Projektligjin për pagën minimale. Partia që drejtohet nga Fatmir Limaj, ka dalë kundër këtij projektligji, në të cilin nuk përfshihen veteranët e UÇK-së.
Nisma ka vlerësuar se qasja e qeverisë Kurti ndaj veteranëve të UÇK-së përben shkelje të dinjitetit të luftëtarit të lirisë.
“Duke e pasur parasysh që Kosova e ka Pagën Minimale më të ulët në rajon Nisma Socialdemokrate konsideron qe ajo gjithsesi duhet të rritet. Mirëpo, Qeveria e Kosovës, përmes këtij Projektligji për pagën minimale ka përjashtuar veteranët nga ngritja e pensionit të veteranit. Prandaj, Nisma Socialdemokrate kundërshton këtë projektligj dhe kërkon nga qeveria që të heq dorë nga politikat e saj kundër kategorive të luftës! Kjo qasje e qeverisë përbën shkelje të dinjitetit të luftëtarit! Nisma Socialdemokrate do të kundërshtojë çdo politikë të Qeverisë që denigron dinjitetin e luftëtarit!”, është thënë në reagimin e Nismës Socialdemokrate.