Nisma mbylli fushatën në Prizren, ky është mesazhi i Limajt
Nisma Socialdemokrate ka mbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit në qytetin e Prizrenit.
“Ashtu siç e filluam me festë fushatën, sonte e mbyllëm me festë sepse për ne, mbi të gjitha është Kosova. Sonte bashkë me përkrahësit tanë e mbyllëm në Prizren në një tubim madhështor fushatën 10 ditore. Falënderoj nga zemra të gjithë anëtarët e simpatizantët tanë për fushatën dinjitoze dhe mbështetjen e tyre këto ditë”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” kandidati për kryeministër i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj.
Limaj ka bërë me dije se nga Shatërvani ka ftuar qytetarët e Kosovës që t’i lënë anash inatet dhe të votojnë për të ardhmen.
“Vota për numrin 122 është votë për të ardhmen e vendit. Ne do të marrim përgjegjësi të reja, por gjithmonë duke qenë të përgjegjshëm para atyre që na kanë votuar dhe duke qenë të vendosur në mbrojtje të interesave të Kosovës në çdo kohë. Me Nismën nuk do të lejojmë në asnjë rast të cenohet vullneti i qytetarëve të Kosovës. Ne do të ulemi edhe me ata që nuk pajtohemi edhe me ata që mendojnë ndryshe. Ne do të punojmë për t’i bashkuar këta njerëz për të mirën e vendit dhe njerëzve tanë”, ka thënë Limaj.