Nisma Socialdemokrate: LV-ja dhe Lista Serbe kundër UÇK-së
Nisma Socialdemokrate ka reaguar ndaj votimit të projektligjit për pagën minimale në Kosovë, ku nuk janë përfshirë veteranët e luftës së UÇK-së.
Nisma e cila drejtohet nga Fatmir Limaj konsideron se mospërfshirja e shtresës së veteranëve në këtë projektligj përbën katër shkelje.
“1. Diskriminim dhe segrecion, ku një kategori përfiton dhe një tjetër përjashtohet; 2. Shkelë në mënyrë flagrante dhe të turpshme dinjitetin dhe kontributin e luftëtarëve të lirisë, njëkohësisht nuk e njeh UÇK-në dhe luftën e saj si kontributdhënien më meritore për lirinë e vendit; 3. Ky projektligj është antikushtetues sepse cënon të drejtat e njeriut dhe shkelë parimin e barazisë para ligjit; 4. Diskursi dhe narracioni që kanë lansuar në publik për një kohë nga eksponentët e LVV-së dhe këtij koalicioni qeveritar sot e shpërfaqën edhe me votën e tyre kundër përfshirjes së UÇK-së në projektligjin për pagën minimale”, është thënë në reagimin e Nismës.
Nisma Socialdemokrate ka njoftuar se ashtu si deri më tani do të qëndrojë pranë vlerave të luftës dhe do të angazhohet vazhdimisht në ruajtjen e vlerave të UÇK-së dhe dinjitetin e luftëtarëve të saj.