Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje do t’ia prishë shumëkujt kalkulimet
Sekretari për marrëdhënie me publikun i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, është shprehur i bindur në rezultate të mira të këtij subjekti politik në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Ai ka thënë se shifrat e Nismës në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen së shpejti do të jenë dyshifrore.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se ky subjekt është rritur fuqishëm. “Ne jemi të bindur se Nisma Socialdemokrate do të dalë jashtëzakonisht mirë në këto zgjedhje. Ashtu siç kemi deklaruar edhe më herët, Nisma Socialdemokrate është një subjekt i cili është duke u rritur jashtëzakonisht shumë. Në këtë mënyrë besoj dhe jam i bindur se Nisma Socialdemokrate do të dalë aq mirë sa do t’ia prishë kalkulimet shumëkujt, të atyre që kanë dyshime në rezultatet e këtij subjekti politik. Besoj se rezultati i Nismës Socialdemokrate në këto zgjedhje do të jetë dyshifrorë”, ka thënë Shala.
Ai ka treguar se në këtë rritje të Nismës Socialdemokrate ka ndikuar puna e mirë që ministrat e kësaj partie kanë bërë në dikasteret që kanë udhëhequr dhe aktiviteti i deputetëve të saj në Kuvend. “Natyrisht se këtu ka ndikuar puna e madhe që ka bërë Nisma Socialdemokrate në këtë mandat qeverisës, sidomos në dikasteret që janë udhëhequr nga ky subjekt politik. Po ashtu, ndikim ka pasur edhe aktiviteti i grupit parlamentar i Nismës Socialdemokrate në Kuvend dhe i gjithë zyrtarëve të Nismës në secilën degë të saj në Kosovë. Pra, kjo punë e madhe ka bërë që t’i shtyjnë qytetarët e Kosovës të mendojnë dhe t’ia japin një besim edhe më të madh Nismës Socialdemokrate”, është shprehur ai.
Shala ka thënë se personalisht mendon se Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje duhet të shkojë e vetme, megjithatë ai thotë se për këtë do të vendosin organet partiake. Personalisht mendoj se Nisma Socialdemokrate kësaj here duhet të shkojë e vetme në këto zgjedhje. Mirëpo për këtë çështje ende nuk kemi ndonjë vendim të organeve partiake. Kjo mbetet të shihet në ditët e ardhshme. Qëndrimi im personal është se duhet të shkojmë të vetëm në zgjedhje, mirëpo vendimin përfundimtar për këtë do ta marrin organet e Nismës Socialdemokrate”, është shprehur Shala.
“Epoka e re”: Z. Shala, si e ka pritur Nisma Socialdemokrate dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj?
Shala: Ashtu edhe siç kemi deklaruar, dorëheqja e kryeministrit Haradinaj ka qenë një veprim për të cilin ne si partner të koalicionit nuk kemi qenë të informuar deri kur ai e ka bërë publike. Pavarësisht prej kësaj, ne tashmë jemi në një situatë të re dhe si Nismë Socialdemokrate jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e reja ashtu siç e parashikojnë ligjet në fuqi.
“Epoka e re”: Pra, Nisma Socialdemokrate është e gatshme për zgjedhje të reja parlamentare?
Shala: Ne jemi gati për këto zgjedhje kurdo që presidenti i vendit, në konsultim me partitë politike, i shpall ato. Pra, do ta respektojmë cilëndo datë që do ta caktojnë institucionet e Republikës së Kosovës.
“Epoka e re”: Kushtetuta tani parasheh edhe mundësinë që koalicioni aktual të mund ta nominojë një kandidat tjetër për kryeministër. A pajtohet Nisma Socialdemokrate me një skenar të tillë?
Shala: Ajo që dua të them është se pas dorëheqjes së kryeministrit është krijuar një situatë e re politike në vend. Me dorëheqjen e kryeministrit, i cili ka qenë mandatar i shumicës parlamentare në Kosovë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje me qëllim që t’ia kthejmë edhe një herë mandatin qytetarit, sovranit, që të vendosë për përbërjen e re të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili më pas do ta zgjedhë qeverinë e re.
“Epoka e re”: Si pritni që të dalë Nisma Socialdemokrate pas këtyre zgjedhjeve të reja?
Shala: Ne jemi të bindur se Nisma Socialdemokrate do të dalë jashtëzakonisht mirë në këto zgjedhje. Ashtu siç kemi deklaruar edhe më herët, Nisma Socialdemokrate është një subjekt i cili është duke u rritur jashtëzakonisht shumë. Në këtë mënyrë besoj dhe jam i bindur se Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje do të dalë aq mirë sa do t’ia prishë kalkulimet shumëkujt, sidomos atyre që kanë dyshime në rezultatet e këtij subjekti politik. Besoj se rezultati i Nismës Socialdemokrate në këto zgjedhje do të jetë dyshifrorë.
“Epoka e re”: Që i bie se synoni mbi 10 për qind të votave?
Shala: Mbi 10 për qind. Në vitin 2014 ne kemi dalë njëfarë ‘surprize’ sepse në shumë tavolina është diskutuar nëse Nisma mund ta kalojë pragun. Prandaj, mund t’ju them se në këto zgjedhje Nisma Socialdemokrate po hynë shumë e fuqishme dhe jemi të bindur se do të marrim përkrahje shumë të madhe nga qytetarët. Se sa i besojnë Nismës Socialdemokrate qytetarët, kjo mund të shihet vetëm në muajin e fundit ku mbi 2 000 anëtarë të rinj iu bashkuan familjes sonë politike. Pra, dyert e Nismës do të jenë gjithmonë të hapura për njerëz me ide dhe energji pozitive.
“Epoka e re”: Çfarë mendoni se ka ndikuar në rritjen e besimit ndaj këtij subjekti politik?
Shala: Natyrisht se këtu ka ndikuar puna e madhe që ka bërë Nisma Socialdemokrate në këtë mandat qeverisës, sidomos në dikasteret që janë udhëhequr nga ky subjekt politik. Po ashtu, ndikim ka pasur edhe aktiviteti i grupit parlamentar i Nismës Socialdemokrate në Kuvend dhe i gjithë zyrtarëve të Nismës në secilën degë të saj në Kosovë. Pra, kjo punë e madhe ka bërë që t’i shtyjnë qytetarët e Kosovës të mendojnë dhe t’ia japin një besim edhe më të madh Nismës Socialdemokrate.
“Epoka e re”: Pretendoni të shkoni vetë në këto zgjedhje apo të bëni ndonjë koalicion parazgjedhor?
Shala: Personalisht mendoj se Nisma Socialdemokrate kësaj here duhet të shkojë e vetme në këto zgjedhje, mirëpo për këtë çështje ende nuk kemi ndonjë vendim të organeve partiake. Kjo mbetet të shihet në ditët e ardhshme. Qëndrim im personal është se duhet të shkojmë të vetëm në zgjedhje, mirëpo vendimin përfundimtar për këtë do ta marrin organet e Nismës Socialdemokrate.
“Epoka e re”: Sa janë gjasat që sërish të kemi një koalicion parazgjedhor PDK-AAK-Nisma?
Shala: Edhe një herë po e përsëris, se pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, i cili ka qenë mandatar i PAN-it për ta bërë qeverinë, kemi një situatë të re politike në vend. Kjo situatë e re politike nënkupton organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare. Kurse, pas zgjedhjeve mund t’i shohim të gjitha mundësitë për bashkëqeverisje, varësisht prej rezultateve.
“Epoka e re”: Pas zgjedhjeve a do të ketë vija të kuqe Nisma Socialdemokrate për ndonjë subjekt politik?
Shala: Nisma Socialdemokrate nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik në Kosovë. Ne presim që pas rezultateve zgjedhore organet e partisë të vendosin për mundësitë e bashkëqeverisjes në mandatin e ardhshëm.
(Muhamet Koci)