Nisma vazhdon t’i mobilizojë degët, të bindur se do t’i arrijnë objektivat
Nisma Socialdemokrate ka vazhduar edhe sot takimet me strukturat drejtuese të degëve të saj në teren.
Sekretari i Përgjithshëm, Bilall Sherifi, së bashku me anëtarët e kryesisë; ministrat Endrit Shala dhe Skënder Reçica, kanë vizituar degën e Nismës në Ferizaj dhe Shtime, ku janë pritur nga drejtuesit e këtyre degëve.
Në këto takime, sipas njoftimit të këtij subjekti, është diskutuar lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në Kosovë.
Tek Nisma janë të bindur se objektivat e tyre janë të arritshme.
“Entuziazmi dhe mobilizimi i këtyre degëve dhe degëve tjera është tregues i qartë se objektivat e Nismës për këto zgjedhje janë të pakontestuara. Nisma është e gatshme për këtë proces zgjedhor dhe me objektiva të qarta”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Nismës.
Partia e Fatmir Limajt tash e disa ditë është duke i mobilizuar strukturat e saja për zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen brenda dy muajve.