Nismat kundër Kosovës në Mal të Zi s’mund të jenë të suksesshme, thotë Camaj
Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, nuk beson se shumica aktuale në pushtet mund ta ndryshojë rrugëtimin politik të Malit të Zi, pasi sipas tij, për një veprim të tillë nuk ekziston fuqia politike.
Duke potencuar se Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Camaj, thekson se çdo nismë për të ndryshuar një gjë të tillë nuk do të ketë sukses.
“Ndodhë që në parlament të kemi debate të ndryshme, por nuk besoj se do të ketë nisma për diçka më shumë dhe po të ketë janë të dështuara. Në fund të fundit ato nisma nuk mund të jenë me ne brenda dhe me shumë të tjerë siç është Partia Boshnjake. Dhe sikur ato forca do të donin që ndoshta të bënin ndonjë lëvizje nuk e kanë fuqinë politike”, tha Camaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Camaj ndër të tjera ka potencuar se përfshirja e shqiptarëve në qeverinë e Malit të Zi është tejet e rëndësishme për realizimin e atyre të drejtave që me dekada u janë mohuar.
“Marrja e pozitave të rëndësishme, qoftë në qeveri apo parlament, është e rëndësishme edhe për jetësimin e atyre premtimeve parazgjedhore, por edhe për kyçjen e shqiptarëve në pushtet dhe marrjen e përgjegjësisë për ti realizuar ato të drejta që me dekada na janë premtuar dhe të cilat ishin të nënshkruar në letra, por në aty kanë mbetur”, ka shtuar ai.