Nismës i bashkohen 16 intelektualë e profesorë universitarë
Nisma për Kosovën ka prezantuar sot aderimet e reja. Nismës nga sot i janë bashkuar edhe 16 intelektualë, disa nga ta edhe profesorë universitarë.
Me këtë rast, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, u ka uruar atyre mirëseardhje. Limaj ka thënë se aderimet e fundit dëshmojnë se Nisma është në rrugë të drejtë.
Ai u ka premtuar të aderuarve se do ta kenë hapësirën e nevojshme për ta dhënë kontributin e tyre.
“Ardhja e juaj është lajm jashtëzakonisht i mirë për Nismën. Vendi ka nevojë më shumë se kurrë për kontributin tuaj. Kosova është në udhëkryq të rëndësishëm dhe bashkimi i energjive pozitivë është i domosdoshëm. Qëndrimi juaj pasiv nuk i kontribuon vendit. Pa një shoqëri aktive nuk mund të arrihen synimet tona për një shtet të fortë”, ka thënë kryetari Limaj.
Më tutje, kryetari Limaj ka thënë se Nisma është parti e qendrës së majtë socialdemokrate.
“Nisma e ka zgjedhur një rrugë jo fort të lehtë një rrugë josezonale, por është e vetmja alternativë e cila i duhet vendit. Kosova ka nevojë për lidership i cili tregon gjendjen reale, jep zgjidhje dhe merr përgjegjësi. Ju ftoj të angazhoheni aty ku mund të jepni kontributin tuaj”, ka theksuar kryetari Limaj.
Më poshtë janë emrat e 16 intelektualëve që i janë bashkuar Nismës për Kosovën:
Arben Arifi, Elvira Reçica, Mitasin Beqiri, Jusuf Fejza, Agim Gashi, Ferki Fejza, Gëzim Hyseni, Xhevdet Qenaj, Ilir Qabrrati, Ylber Zabërgja, Nexhat Gashi, Shefki Rashiti, Burhan Arifi, Blerina Vitia, Armend Jashari dhe Albina Gashi.