Nitaj, Haxhi Shalës: Po të isha në vendin tuaj do të kërkoja falje!
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se deklarata e tij se “Çarshia po flet se Limaj do të kthehet në PDK” është keqkuptuar prej fillimit deri në fund.
Nitaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Nismës Socialdemokrate Haxhi Shala.
“I pashë disa reagime të kolegëve të Nisma-s, në mesin e të cilëve edhe të kolegut Haxhi Shala. Me vjen keq që paskan keqkuptuar prej fillimit e deri në fund!. Nuk është mirë që fjalët të nxirren nga konteksti por mendimi i shpërfaqur duhet të thuhet e të lexohet i plotë dhe brenda logjikës”, ka theksuar Nitaj, duke iu drejtuar Shalës se po të ishte në vendin e tij do të kërkonte falje.
Postimi i plotë i tij:
Përgjigje kolegëve nga Nisma (po të isha në vendin tuaj kisha kërkuar falje)
I pashë disa reagime të kolegëve të Nisma-s, në mesin e të cilëve edhe të kolegut Haxhi Shala. Me vjen keq që paskan keqkuptuar prej fillimit e deri në fund!
Nuk është mirë që fjalët të nxirren nga konteksti por mendimi i shpërfaqur duhet të thuhet e të lexohet i plotë dhe brenda logjikës.
Unë nuk jam bërë zëdhënës i askujt por konstatimit se ka përplasje e mospajtime midis AAK-së e Nismas-s në Qeveri dhe Nisma mund të votojë për rrëzimin e qeverisë, jam përgjigjur:
Ne nuk dimë çfarë ka në mendje as Limaj e as Veseli, por e dimë që në raportet zyrtare nuk ka mospajtime dhe se koalicioni është funksional.
Pikërisht në sensin e cilësimit si thashetheme, kam thënë se ka lloj-lloj storiesh duke e përmendur edhe llafin se Çarshia po flet se Limaj do të kthehet në PDK. (D.m.th deri këtu shkohet)
Unë kështu e kam thënë, dhe kjo s’ka të bëjë asgjë me denigrimin e askujt. Me vjen keq që përfundimet i keni nxjerrë nga titujt e jo nga përmbajtja!
Unë po të isha në vendin tuaj do të kërkoja falje!