Nitaj kërkon konservimin dhe mbrojtjen e kullave të Kompleksit Memorial në Prekaz
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Nitaj, i shoqëruar edhe nga anëtarët e tjerë të Komisionit Parlamentar për Bujqësi e Planifikim, ka vizituar Kompleksin Memorial në Prekaz.
Ai ka thënë se kullat e Jasharëve duhet të ruhen e të mbahen në këmbë për shekujt që vijnë, e jo për 20-30 vjet.
Sipas Nitajt, duke pas parasysh gjendjen aktuale ato nuk mund të qëndrojnë gjatë në këmbë.
Ai ka shtuar se Prekazi, Gllogjani, Marina, Krusha e dhjetëra vende të lavdisë sonë, janë Meka dhe Jerusalemi shqiptar.
“Kullat e Kompleksit Memorial në Prekaz, duhet të ruhen e të mbahen në këmbë për shekujt që vijnë, e jo për 20-30 vjet. Në gjendjen në të cilën, bashkë me kolegë deputetë, anëtarë të Komisionit parlamentar për Bujqësi e Planifikim, i pamë sot, ato nuk mund të qëndrojnë gjatë në këmbë. Prandaj shteti duhet të ndërhyjë me urgjencë që të bëjë konservimin e kullave! Puna e madhe që është bërë në Kompleksin Adem Jashari, nuk quhet e kryer pa konservimin dhe mbrojtjen objekteve, që janë dëshmi e një kohe dhe e një historie. Prekazi, Gllogjani, Marina, Krusha e dhjetëra vende të lavdisë sonë, janë Meka dhe Jerusalemi shqiptar”, ka shkruar Nitaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/