Nitaj kërkon të pezullohet përzgjedhja e kryeshefit të Infrakosit
Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit Muharrem Nitaj ka njoftuar përmes një shkrese zyrtare se ka kërkuar nga Bordi i Infrakos-it që ta pezullojë përzgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, me arsyetim se në proces të përzgjedhjes nuk janë zbatuar kriteret e konkursit, por ata këtë çështje e kanë bërë akt të kryer, me çka kanë bërë shkelje.
“Si ministër i Ekonomisë dhe Ambientit nuk kam pranuar që të procedoj me rinominimin e bordeve të përkohshme, në kohën kur veç procesi i zgjedhjes së bordeve të rregullta është në fazën përfundimtare!. Edhe për ato ndërmarrje ku ka përfunduar procesi i intervistimit dhe poentimit, siç është rasti me Bordin e Telekomit, përzgjedhjen dhe emërimin e tij ia kemi lënë Qeverisë së ardhshme”, ka thënë Nitaj.
Ai ka thënë se zgjedhja e bordeve të reja duhet të jetë në diskrecionin e Qeverisë së re.
“Por kjo nuk nënkupton që bordet e përkohshme që janë në ditët e fundit të tyre, mund të bëjnë përzgjedhjen e ngutshme të kryeshefave ekzekutivë të ndërmarrjeve publike, madje edhe duke shkelur rregullat e konkursit, e shpesh edhe në kundërshtim me ligjin, siç ka ndodhur me kryeshefin ekzekutiv të Infrakos-it”, ka thënë Nitaj.
Ndryshe, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovës ka sugjeruar që Qeveria në detyrë e Kosovës të shtyjë të gjitha vendimet dhe proceset e rekrutimit të zyrtarëve në Ndërmarrje Publike, deri në formim të qeverisë së re.
Kjo Ambasadë thekson se proceset e rekrutimit të bordeve dhe kryeshefave ekzekutiv duhet të jenë transparente.