Nitaj: Kurti s’i dha opozitës shansin ta kritikonte, ra nga pushteti pa i mbushur 50 ditë
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, po thotë se partitë opozitare në vend nuk kanë ditur ta kritikojnë qeverisjen e tij.
Ai ka deklaruar se nuk po sheh kritikë, por akuza nga opozita. Por, sipas nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, nuk mund të kritikohet një kryeministër që përmbyset për më pak se 50 ditë.
Në një përgjigje për gazetën “Express”, nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se Kurti ka qeverisur aq keq sa nuk pati nevojë për kritikën e opozitës.
“Si mund të kritikojë një opozitë një kryeministër që përmbyset për më pak se 50 ditë. Ne e kemi pas vendosur që të mos e kritikojmë, bile në 100 ditët e para, por qe do që ai qeverisi aq keq, sa që nuk kishte as nevojë për kritikën e opozitës”, ka thënë Nitaj.
Nitaj ka thënë se shkarkimi i shpejtë i Kurtit nuk i la kohë opozitës që ta kritikojë.
“Ka të drejtë kryeministri i shkarkuar që opozita nuk e ka kritikuar mjaftueshëm. Por ai nuk i dha as kohë opozitës ta kritikonte, sepse hala pa e marrë mirë detyrën ra prej pushtetit”, ka deklaruar Nitaj.
Shefi në detyrë i Qeverisë së Kosovës, një natë më parë në “DPT te Fidani” në “T7”, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e bën më mirë edhe qeverisjen edhe opozitën.