Ministria e Ekonomisë do ta ndihmojë në projekte infrastrukturore Junikun
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj ka pritur të premten në takim kryetarin e Komunës së Junikut, Agron Kuçi, me të cilin kanë diskutuar për punët që po bëhen në këtë komunë, si dhe kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi.
Nitaj ka përgëzuar kryetarin Kuçi për punën që po bën në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Junikut dhe ka ofruar mbështetjen e tij dhe të ministrisë që drejton në realizimin e projekteve që janë në funksion të mirëqenies së qytetarëve të kësaj komune.
“Sot nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi për bashkëfinancimin e projektit për rregullimin e shtratit të lumit Erenik si dhe marrëveshje për bashkëfinancim në rregullimin e ujësjellësit në lagjen Agim Ramadani në Junik”, ka deklaruar Nitaj.
Ndërsa nga ana e tij, kryetari Kuçi ka falënderuar ministrin e MEA-së, Nitaj për përkrahjen që po i ofron në zhvillimin dhe avancimin e projekteve që kanë impakt pozitiv në jetën e qytetarëve të kësaj komune.
Këto dy projekte do të realizohen në bashkëfinancim nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe e Komunës së Junikut, ku MEA-ja do të financojë në vlerë prej 180.000.00 euro.