Nitaj: Në dialogun me Serbinë të përfshihet edhe opozita
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë se dialogu është procesi më i rëndësishëm që ka pas Kosova që nga shpallje e Pavarësisë deri më sot.
“Dialogu është procesi më i rëndësishëm që ka pas Kosova që nga shpallje e Pavarësisë deri më sot”, tha Nitaj, në “Debat Plus” në “RTV Dukagjini”.
Ai ka thënë se në procesin e negociatave nuk e ka ekskluzivitetin pozita të udhëheq e vetme, por duhet pajtim i të gjitha forcave.
“Situata e kërkon një pajtim nga të gjitha forcat politike që janë në tregun e Kosovës. Shumica parlamentare nuk e ka fare ekskluzivitetin e këtij procesi. Opozita nuk do të duhej të përjashtojë veten nga ky proces”, ka deklaruar ai,
Përballja me Serbinë është e vështirë, prandaj sipas deputetit të AAK-së, Kosova nuk duhet të jetë e përçarë.
“Kosova duhet të përfaqësohet në nivelin më të mirë të mundshëm, për t’u përballur me Serbinë në këto bisedime. Procesi nuk është i lehtë, Kosova është shumë e brishtë për të shkuar e përçarë në këto bisedime”, është shprehur ai.
Nitaj ka thënë se nuk mund të kuptojë, pse gjithë skena politike po merret me vetëm një emër, për një muaj.
“Nuk e kuptoj kursin e një pjese të opozitës, që e ka kthyer debatin te njeriu kush do t’i drejtojë bisedimet, në vend se të flitet se cilat çështje do të diskutohen. Për fat të keq, skena politike në Kosovë që një muaj përplasen për një emër, dhe ai emër është Hashim Thaçi”, ka thënë Nitaj, deputet i AAK-së.