Nitaj: Po punohet për gjetjen e një zgjidhje për demarkacionin
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka treguar se krerët institucionalë janë duke u angazhuar maksimalisht për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Ai ka thënë se presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri janë duke u munduar ta gjejnë një zgjidhje normale dhe të pranueshme për këtë çështje.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Nitaj ka pohuar se demarkacioni nuk është temë e thjeshtë ditore, por një çështje shumë e rëndësishme për vendin. “Aq sa unë di, edhe kryeministri, edhe presidenti, edhe kryetari i Kuvendit po përpiqen ta gjejnë një zgjidhje normale dhe të pranueshme për demarkacionin edhe për Kosovën edhe për Malin e Zi. Nuk po shtyhet askush për inate. Thashë se kjo nuk është një temë e thjeshtë dite, por fjala është për kufirin e shtetit që do të mbetet përgjithmonë. Zgjidhjen duhet ta bëjnë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata flasin në emër të sovranit”, ka thënë Nitaj.
Ai ka vlerësuar se qytetarët dhe politikanët aktivë do të duhej ta ndanin demarkacionin nga procesi i liberalizimit, duke shtuar se nuk e di pse kjo çështje nuk po dërgohet në Kuvend për shqyrtim. “Qeveria e ka dërguar në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin. Tashti nuk po kuptoj pse nuk po nxirret për votim. Kjo marrëveshje ose duhet të ratifikohet ose të hedhet poshtë. AAK-ja insiston të korrigjohen gabimet dhe të ratifikohet marrëveshja. Se si do të arrihet kjo, duhet të presim e të shohim”, është shprehur ai.
Nitaj nuk ka dashur të flasë shumë për propozimin e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj rreth demarkacionit. Sipas tij, nëse fjala është për një aneks marrëveshje të nënshkruar nga të dyja palët, kjo ide ka kuptim. “Nuk e di se çka po bën Fatmir Limaj. Nuk jam në dijeni se cila është nisma e tij dhe çka parasheh ajo. Nëse fjala është për një aneks marrëveshje të nënshkruar nga të dyja palët, kjo edhe ka kuptim. Nëse fjala është për do fare premtimesh publike me gojë, kjo është hajgare”, është shprehur Nitaj.
Deputeti i AAK-së u është kundërpërgjigjur edhe kritikave të LDK-së për kryeministrin Haradinaj. Ai ka thënë se Haradinaj është një prej politikanëve më të përgjegjshëm për mbrojtjen e interesave të shtetit. “Tash ta sulmosh Ramush Haradinajn se po izolon vendin dhe është kundër liberalizimit të vizave, kjo është hipokrizi e madhe. Ta akuzosh Haradinajn se po e izolon vendin, pikërisht në ditën kur Kosova merr mbështetje të fuqishme nga ShBA-ja dhe presidenti Trump, dhe vlerësimin për punën e institucioneve të vendit, është diçka më shumë se një kundërshtim politik”, ka thënë Nitaj.
“Epoka e re”: Z. Nitaj, ka ndryshuar AAK-ja qëndrim kohët e fundit rreth demarkacionit me Malin e Zi?
Nitaj: Demarkacioni është një temë e rëndësishme për vendin. Është për keqardhje se kjo çështje është reduktuar në çështje të liberalizimit të vizave. Qytetarët dhe politikanët aktivë do të duhej ta ndanin demarkacionin nga procesi i liberalizimit. Ose është mirë ose është keq. Qeveria e ka dërguar në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin. Tash nuk po e kuptoj pse nuk po nxirret për votim. Kjo marrëveshje ose duhet të ratifikohet ose të hedhet poshtë. AAK-ja insiston të korrigjohen gabimet dhe të ratifikohet marrëveshja. Se si do të arrihet kjo, duhet të presim e të shohim.
“Epoka e re”: Pritjet janë që shumë shpejt demarkacioni me Malin e Zi të shqyrtohet në Kuvend. A ka ndonjë nismë të re nga Qeveria për zgjidhjen e kësaj çështje?
Nitaj: Aq sa unë di, edhe kryeministri, edhe presidenti, edhe kryetari i Kuvendit po përpiqen ta gjejnë një zgjidhje normale dhe të pranueshme për demarkacionin, edhe për Kosovën edhe për Malin e Zi. Nuk po shtyhet askush për inate. Thashë se kjo nuk është një temë e thjeshtë dite, por fjala është për kufirin e shtetit që do të mbetet përgjithmonë. Zgjidhjen duhet ta bëjnë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata flasin në emër të sovranit.
“Epoka e re”: Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka propozuar që të dyja qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Malit të Zi, të japin zotime që të shqyrtohen në të ardhmen lëshimet eventuale në marrëveshjen për demarkacionin, e kjo pastaj të mundësojë që edhe Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen. E përkrahni këtë ide?
Nitaj: Nuk e di se çka po bën Fatmir Limaj. Nuk jam në dijeni se cila është nisma e tij dhe çfarë parasheh ajo. Nëse fjala është për një aneks marrëveshje të nënshkruar nga të dyja palët, kjo edhe ka kuptim. Nëse fjala është për do fare premtimesh publike me gojë, kjo është hajgare.
“Epoka e re”: Si do ta vlerësonit punën e deritashme të koalicionit qeverisës, dhe a mund ta lëkundë këtë koalicion tema e demarkacionit?
Nitaj: Qeveria ka bërë punë të shkëlqyer. Punët dhe vendimet e saj janë bukur shumë dhe të favorshme për vendin. Ka një qasje serioze për temat e mëdha. Ka një qasje serioze për dialogun me Serbinë. Ka një mobilizim për përmbushjen e obligimeve që janë kusht në procesin e integrimeve. Ka edhe plot vendime që kanë impakt të drejtpërdrejte në jetën e qytetarëve. Po bën jo pak punë për një stabilitet ekonomik dhe për rend e ligj. Demarkacioni është temë e përbashkët. Koalicioni po punon që bashkë të gjejnë zgjidhje. Nuk është temë që lëkundë asgjë. Nëse nuk ka vetëdije e përgjegjësi prej të gjithëve, krejt çfarë mund të lëkundë demarkacioni, janë disa mijëra hektarë të këtij shteti.
“Epoka e re”: Grupi parlamentar i LDK-së ka akuzuar kryeministrin Haradinaj për izolimin e vendit. Madje ka kërkuar të votohet demarkacioni dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja?
Nitaj: Ramush Haradinaj është një prej luftëtarëve më të mëdhenj, të gjallë e të vdekur, për lirinë e këtij vendi. Ai është një prej politikanëve më të përgjegjshëm për mbrojtjen e interesave të shtetit. Edhe qasja e tij ndaj kufirit me Malin e Zi është qasje e një politikani të përgjegjshëm për çështjet e interesit nacional. Të njëjtën qasje e ka pasur edhe në raport me dialogun dhe me bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Tashti ta sulmosh Ramush Haradinajn se po e izolon vendin dhe është kundër liberalizimit të vizave, kjo është hipokrizi e madhe. Ta akuzosh Haradinajn se po e izolon vendin, pikërisht në ditën kur Kosova merr mbështetje të fuqishme nga ShBA-ja dhe presidenti Trump, edhe vlerësim për punën e institucioneve të vendit, është diçka më shumë se një kundërshtim politik. Pyetini ata çfarë kanë dashur të thonë me këto akuza dhe, për më shumë, çfarë pretendojnë me to.
Muhamet KOCI