Nitaj: Populli sot ka nevojë për shtetin
Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se vetëm të hënën 20 raste të reja të identifikuara me Covid-19.
Ai ka pohuar se në këtë situatë në të cilën ndodhet vendi, populli sot ka nevojë për shtetin.
“Ky është rezultat i testimit të tyre dhe numri prej 165 personave të infektuar në total, edhe 30 e sa në veri, nuk është numri real, por është pasqyrë e numrit të vogël që po i nënshtrohen testit të koronavirusit. Ky numër mund të jetë shumëfish më i madh dhe herët a vonë do të dalë në shesh. Qytetarët në Kosovë, me pak përjashtime, as nuk janë të izoluar, as nuk po e mbajnë distancën, e as që po tregohen të efektshme masat që janë ndërmarrë”, ka shkruar Nitaj.
Ai ka theksuar se njerëzit duhet të rrinë në shtëpi, por edhe duhet t kenë të hanë, prandaj sipas tij, krejt buxheti i shtetit duhet të orientohet në mirëmbajtjen e popullatës.
“Të pezullohen investimet kapitale dhe krejt kapitali e rezervat e shtetit të orientohen në menaxhimin e situatës. Njerëz të mençur e kanë ngritur alarmin me kohë, veç të sëmuret pas pushtetit hala s’po shohin me sy!”, ka shkruar nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj.
/Epoka e re/